Inis Gjoni: Një femër e padorëzuar


Regjisorja Inis Gjoni shumë shpejt do të sjellë në “Teatrin e Komedisë” shfaqjen “Klani i të divorcuarave”. Një komedi, e cila ka në qendër jetën e tri femrave nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Karaktere, të cilat janë jo vetëm aktuale, por edhe të prekshme dhe reale për realitetin shqiptar të femrës. Komedia, e cila do të vihet shumë shpejt në skenë për publikun kryeqytetas, është një vepër e dramaturgut dhe aktorit të njohur shqiptaro-francez Halil Vardar. Megjithatë, biseda me Inisin nuk fokusohet vetëm tek personazhet e kësaj komedie, që brenda  gjithë humorit gjithsesi fshehin një dramë. Atë të një lufte të vazhdueshme dhe forcës për t’u ringritur sa herë që rrëzohesh. Realiteti shqiptar është shumëdimensional sa i përket problematikës, lirisë dhe të drejtave të femrës. Përpos gjithë kësaj, fakti është se pavarësisht mentalitetit dhe kulturës maskiliste në këtë drejtim, femrat shqiptare sot kanë guximin të kërkojnë  më shumë të drejta dhe t’i thonë jo nënshtrimit. Madje sipas një studimi, kërkesat për divorc në Gjykatën e Faktit në Tiranë më tepër vijnë nga gratë sesa nga burrat. “Femra në përgjithësi nuk dorëzohet lehtë. Në raport me ndjenjat e saj ajo bën gjithçka, gjithçka për ta mbajtur. Këtu hyjnë edhe femrat në karrierë, edhe femrat e emancipuara, femrat intelektuale. Qenia njerëzore femërore është e njëjtë, pavarësisht se ndryshon secila nga karakteri, mentaliteti, mënyra si janë rritur dhe edukata. Në momentin që ezaurohen të gjitha më mirë është të jesh vetëm”, thotë regjisorja Gjoni, e cila ndan me ne një bisedë tepër të këndshme rreth kësaj teme, femrave shqiptare por edhe rreth vetes.

Inis, jeni duke u përgatitur për të vënë në skenë komedinë “Klani i të divorcuarave”. Mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj shfaqjeje? Si do të vijë ajo për publikun kryeqytetas?

Së pari do të ishte mirë të vija në dijeni për autorin e veprës, sepse është diçka shumë interesante. Vërtet është pompuar shumë këtë vit festimesh me rastin e 100-vjetorit dhe të gjitha punët që janë bërë kanë marrë këtë etiketim. Në rastin e komedisë sonë është me vend, sidomos për politikat që ndjek Ministria e Kulturës po dhe artistët, që të vendosin sa më shumë vepra të artistëve shqiptarë. Kjo nuk është një vepër e mirëfilltë shqiptare. Është gjysmë shqiptare dhe gjysmë franceze, pasi autori  i saj është shqiptar me origjinë nga Maqedonia. Sot në Paris, Halil Vardar është një nga aktorët, dramaturgët dhe sipërmarrësit më të rëndësishëm të elitës pariziene sidomos të teatrit të komedisë. Vepra “Klani i të divorcuarave” ka pasur mjaft sukses dhe është luajtur në shumë vende të tjera për shumë vite.

Duket një emër jo shumë i njohur në Shqipëri. Ju vetë kur jeni njohur për herë të parë me veprën e tij?

Me emrin e Halil Vardar jam njohur disa vite më parë kur punoja në “Tv Alsat”, kur bëja  rolin e gazetares isha në kërkim të personaliteteve si në Shqipëri dhe jashtë saj. Atje kam marrë vesh që një aktor i famshëm me orgjinë shqiptare në Paris kishte sukses të jashtëzakonshëm. Pastaj qëlloi që unë shkova vetë në Paris me “Apologjinë e Sokratit” dhe nëpërmjet ambasadorit Ylljet Aliçka arritëm të kontaktonim me ta dhe me autorin e veprës. Ylljet Aliçka përveçse vendosi kontaktin, ka bërë dhe përkthimin e veprës.

Sa aktuale është kjo vepër?

Është shumë aktuale. Ajo që mbetet interesante është se ka një nga temat më problematike sot që i përket jo vetëm Shqipërisë por edhe botës, siç është familja, e cila duket se po humbet magjinë e saj. Të tilla janë dhe personazhet tona, Stefania 37 vjeçe, e cila pas 5 viteve martesë vendos ta lërë bashkëshortin, sepse kupton që nuk i përkiste nivelit të saj shoqëror. Pastaj kemi Brizhildën, 40-vjeçare, e cila është e shëmtuar por mjaft interesante për mënyrën sesi e shet vetveten. Brizhilda divorcohet pas kërkesës së bashkëshortit. Meri, personazhi tjetër është më e vogël dhe më e përkëdhelur nga dy shoqet e saj. Ajo që të bën përshtypje sot se shihet gjithnjë e më shumë forca e femrës për të marrë vendime siç është Stefania dhe Meri, të cilat e kanë zgjidhur martesën me koshiencë. Nga ana tjetër kemi dhe femrën e braktisur nga bashkëshorti, siç është Brizhilda, e cila arrin sërish të gjejë forcën për të ecur përpara.

Ka më shumë dramë apo komedi?

Është sa dramatike edhe komedi. Drama është tek vetë jeta që ato jetojnë, tek dëshirat dhe pasionet që ato kërkojnë për të mos mbetur të vetmuara. Të tria në fund nxjerrin edhe një njoftim “duam bashkëshort” me shpresën se Princi i Kaltër është duke i pritur pas asaj cope letre. Në fund të fundit ato kuptojnë se mund t’ia dalin edhe të vetme. Kurse komedinë e shohim me notat që ia ka veshur autori.

Edhe në momentet më dramatike ka vend për të qeshur me pak fjalë…

Popak a shumë kjo është ideja. Dua të shtoj se është mjaft interesante, fakti që Shqipëria pas viteve ‘90 është renditur e 14-ta për numrin e lartë të divorceve dhe e 5-ta në Europë për numrin e divorceve. Gjëja më e çuditshme është se në Gjykatën e Faktit në Tiranë kërkesat për divorc vijnë nga çiftet e reja dhe më së shumti nga femrat. Janë femrat ato që në pjesën më të madhe, ndryshe nga vite më parë, kërkojnë divorcin.

Jam kurioze të di nëse këto femra në fund a janë të lumtura që divorcohen?

Kjo është ajo pse po thosha më sipër se femrat dikur bënin gjithçka për të ruajtur familjen. Vetësakrifikoheshin dhe vetëmohoheshin. Në këto 30 vitet e fundit ka ndryshuar shumë koncepti për jetën dhe sot divorci nuk shihet më si një dramë e pakalueshme për femrat. Më vonë femra e kuptoi që ajo çfarë asaj i duhej është një jetë për t’u jetuar. Ndaj dhe këto si personazhe (prandaj them e kam marrë femrën më përpara kur ishte e vështirë të divorcoheshe)por dhe vetë shoqëria sot ka ecur dhe opinioni është më pak i fokusuar tek ky fenomen. Nga ana tjetër duket sikur çiftet e reja janë më pak të kompleksuara ndaj paragjykimeve të tjera. Duket sikur sot tek këto çifte të gjesh burrin apo gruan nuk është gjëja më e madhe. Janë më pak të prirur për të sakrifikuar nga vetvetja. Nga ana tjetër femrat sot ndjehen më mirë, sepse ato sot janë të punësuara, të arsimuara dhe janë më të pavarura. Nga ana tjetër janë po këto femra që edhe pse duken të ftohta, sërish mbeten femra.

A e kërkon në fakt më shumë femra dashurinë?

Pa diskutim. Këto janë femra që në fund të fundit luftojnë për të gjetur dashuritë e pastra, edhe pse tek komedia jonë kemi disa lloj personazhesh.

A po rrezikon kjo liri të kthehet në një lloj burgu emocional?

Jeta ka zhgënjime nga më të ndryshmet dhe shpesh fati i femrës është i dhimbshëm ndryshe nga ai që ajo ëndërron. Nëse e vë re, femra është përherë në kërkim të një dashurie të vërtetë sado e fortë që të jetë.

Kush duhet ta shikojë këtë komedi më tepër, a është një komedi vetëm për femrat e divorcuara?

Edhe vjet tek “Salla e banjës” kam pasur një slogan “Çdo femër duhet ta shikojë dhe çdo mashkull duhet ta studiojë”. Tek kjo komedi duhet të vijnë edhe gratë e divorcuara, edhe femrat, edhe meshkujt, për të parë se ku arrin femra dhe mënyrën sesi ajo e koncepton jetën sot.

A do të ndihet më optimiste një femër shqiptare pasi të ketë parë këtë shfaqje?

Po. Pa diskutim.

Pra, një shfaqje për femrat e divorcuara…

Për ato dhe të gjitha femrat, pasi në jetën bashkëshortore kanë pakënaqësitë e tyre. Femra është mësuar të jetë e përulur, të falë shumë, të plotësojë të gjitha dëshirat e familjarëve dhe në fund të ditës e sheh që është e paplotësuar vetë.

Jemi në realitetin shqiptar dhe ju si artistë i shihni disa fenomene paksa më ndryshe. Si e sheh ti femrën shqiptare sot?

Kur iu referova atij sondazhi pak më lart, ishte për femrat shqiptare. Megjithatë, femra shqiptare nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh me femrat në botë. Femrat tani janë më të arsimuara.

A luftohet sot më pak për dashurinë?

Po patjetër që luftohet, por më pak për dashurinë. Thashë edhe më sipër që tashmë femrat e kanë kuptuar që duhet një jetë për t’u jetuar dhe që çiftet e reja janë më pak të prirur për të sakrifikuar nga vetvetja. Në fund të fundit të gjithë kërkojnë gjysmën tjetër.

Inis, përse sërish me femrat pas “Sallës së banjës?

Mua gjithmonë më ka tërhequr mënyra sesi femra mendon edhe sesi ajo shikon, në raport me shoqërinë tonë por edhe me meshkujt në përgjithësi. Në rastin konkret është interesante sesi femra ka evoluar. Më tërheq femra, sepse kam përshtypjen se ajo është shumë e sinqertë në gjithë luftën, dëshirat dhe pasionet që ajo ka. Femra më duket shumë e vërtetë edhe në vuajtjet e saj. Edhe vjet ma kanë bërë këtë pyetje pas “Vdekjes së mbretëreshës” dhe “Sallës së banjës”, po nuk është se bëj pjesë në kategorinë e femrave feministe fanatike, por e vlerësoj shumë femrën në përgjithësi dhe jam pro tyre. E kuptoj mirë realitetin e tyre.

A duket në fakt se femra duke kërkuar pushtetin, qoftë pavarësinë ekonomike dhe intelektuale rrezikon të japë më pak nga vetja. Të sakrifikosh ndjenjat për pushtetin?

Në përgjithësi për t’ia dalë mbanë jetës duhet të jenë dy njerëz. Po duke iu referuar komedisë dhe statistikave, kanë kuptuar që është më mirë të jenë të ftohta, të forta për t’ia dalë mbanë. Ndaj mund të themi që femrat sot janë më praktike dhe më realiste. Sot flitet realisht pa u munduar t’i tregosh këto femra të moralshme apo të pamoralshme. Kjo është e pavend në ditët e sotme. Në këtë komedi shihet jeta e përditshme.

A të ka frymëzuar më tepër fakti që je nënë për të punuar?

Pa diskutim, të qenit nënë është një kënaqësi që të gjitha ato që janë nëna e kuptojnë se cila është shkalla e lartë e lumturisë që të jep fëmija. Sigurisht më motivon, po ky është një projekt që unë kam dashur ta vendos në skenë para disa kohësh, por tani gjeta mundësinë për ta bërë.

A ndjehesh një femër më e plotë në atë që jep, kalon në një dimension tjetër e gjithë qenia femër?

Mendoj se ti e the të gjithë në këtë pyetje, ndaj nuk ka nevojë të shtoj asgjë. Kalon komplet në një  dimension tjetër. Është një gjë që zor se përshkruhet me fjalë në raport me kënaqësinë që ti merr.

Një mesazh për femrat e divorcuara cili do të ishte?

Nuk do jepja asgjë më shumë veç mesazhit të shfaqjes; “Më mirë vetëm sesa e keqshoqëruar”.

Kur dorëzohesh, më mirë ta nisësh nga fillimi?


Nuk është puna tek dorëzimi, sepse kam përshtypjen që femra në përgjithësi nuk dorëzohet lehtë. Në raport me ndjenjat e saj ajo bën gjithçka, gjithçka për ta mbajtur. Këtu hyjnë edhe femrat në karrierë, edhe femrat e emancipuara, femrat intelektuale. Qenia njerëzore femërore është e njëjtë, pavarësisht se ndryshon secila nga karakteri, mentaliteti, mënyra si janë rritur dhe edukata. Në momentin që ezaurohen të gjitha më mirë është të jesh vetëm.

Dhe ti nuk dorëzohesh asnjëherë duke sjellë të tilla shfaqje me femrën në qendër…

Jo. Unë nuk nisem në përgjithësi nga femrat. Fatmirësisht por edhe kam kërkuar dhe më kanë rastisur vepra të cilat janë aktuale, që i flasin më tepër aktualitetit dhe këto janë komeditë që sot lëvrohen nëpër botë.

Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano