Zbulohet alibia false të Gjok Tushës, pranga te ish Blloku


Në një operacion befasues, skuadra operacionale e Policisë së Shtetit, i zë “pritë” Gjokë Tushës. E vë në pranga në mes të ditës dhe në mes të ish-Bllokut, ndërsa Tusha po dilte nga kafeneja i shoqëruar nga persona të tjerë, miq dhe njerëz, me të cilët ai shoqërohej prej shumë kohësh në të njëjtin vend. Prangosja kryhet para “Sky Tower”, ndërsa arrestimi nga një grup oficerësh civilë ka shokuar kalimtarët e rastit. Ndalimi i Gjokë Tushës është filmuar nga qytetarë të shumtë në rrugë, ndërsa bëhet me dije se në të njëjtën kohë është urdhëruar edhe arrestimi i një oficeri të Policisë Gjyqësore në Lezhë, i cili simulonte, sipas policisë, prej shumë kohësh, personin që ditën e djeshme ka rezultuar të jetë një i shumëkërkuar!

Në të vërtet, Gjokë Tusha, rezulton i kërkuar në Itali për një sërë akuzash, që e përfshijnë në “organizatë kriminale”, por në vendin tonë, emri i tij lidhet me një ngjarje të ndodhur dy vite më parë. Policia e Durrësit e vuri nën akuzë për plagosjen e tre personave, akt për të cilin nuk u fol më asnjëherë pas asaj nate krimi.

Referuar të dhënave të Policisë, saktësohet se ai është i kërkuar në Itali për tri akuza të rënda, por ka qenë pikërisht oficeri i policisë Aleksandër Kolmarku që ka mundur të pengojë drejtësinë italiane për të kërkuar ekstradimin e Tushajn nga Shqipëria. Mbi të dy personat e arrestuar dje bie akuza e falsifikimit, ndërkohë pritet që pas dy ditësh të dalin para gjykatës për tu njohur me masën e arrestit.  

Dosja italiane për Tushajn

Policia e Shtetit në komunikimin zyrtar mbi arrestimin e Gjokë Tushës bën me dije se 48 vjeçari nga Lezha është arrestuar pasi rezultonte i shumëkërkuar i drejtësisë italiane. Në të vërtet, Tusha është arrestuar për llogari të Task-Forcës së prokurorisë së Tiranës dhe nën akuzën e “falsifikimit të dokumentacionit” dhe “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”. Referuar burimeve të hetimit bëhet me dije se arrestimi i tij dhe i oficerit të policisë gjyqësore është kryer me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ku me kërkesë të prokurores Antoneta Sevdari ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Kështu historia e shpalljes në kërkim të emrit të Gjokë Tushës, i cili mësohet se në dokumentacioni aktual njihet si Gjergj Tusha, duket se merr shtysë nga tentativa e tij për të rihapur gjyqin në shtetin italian. Nga të dhënat që vijnë nga grupi i hetimit mësohet se Tusha është dënuar me 15 vite burg në Itali si “pjesëtar i organizatës kriminale që merrej me trafikun e drogës”, për “rrëmbim personi”, për “shfrytëzim prostitucioni” dhe për “marrëdhënie seksuale me dhunë”. Vendimi për dënimin e Tushajt është dhënë në mungesë nga Italia, ndërkohë në Shqipëri emri i tij nuk është i skeduar për ndonjë precedent penal.

Rihapja e çështjes në Itali

Me kërkesë të avokatit të tij, në vendin ku rezultonte i dënuar me 15 vite burg, Tusha ka arritur të rihapë edhe njëherë procesin gjyqësor që ndodhet në fazën e marrjes dhe administrimit të provave të palëve në gjyq. 48 vjeçari “Gjergj Nicola Tusha”, me ndihmën e oficerit të policisë, tashmë i arrestuar, Sandër Kolmarku, ka arritur të sigurojë disa shkresa zyrtare që mbajnë vulën e institucioneve shtetërore; të policisë dhe të prokurorisë që “vërtetojnë” se në kohën e ndodhjes së krimit për të cilin është dënuar, shqiptari ndodhej në vendlindjen e tij, në Shqipëri. Pas dorëzimit të këtyre materialeve, të përpiluara nga oficeri, të vulosura në institucionet shtetërore, Tusha pretendonte në Itali pafajësinë. Mirëpo autoritetet e drejtësisë italiane, pas administrimit të këtyre materialeve i kanë kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e tyre në vendin tonë. Ekspertët e hetimit të përgjithshëm në vend, kanë kërkuar marrjen e kopjeve të dërguara në Itali dhe gjatë verifikimeve kanë konstatuar se të gjitha ishin të falsifikuara. Atëherë ka nisur edhe procesi i mbajtjes nën përgjim të Gjokë Tushës dhe për pasojë është mundur të shkohet deri te personi që ka plotësuar të gjitha kërkesat e të dënuarit të drejtësisë italiane. Falsifikimi, sipas prokurorisë, ishte kryer nga Kolmarku kundrejt pagesave të bëra nga Tusha, fakt ky i dalë sërish nga përgjimet, derisa paraditen e djeshme është urdhëruar edhe arrestimi i tyre në Tiranë dhe në Lezhë.

Tusha plagosi 3 persona para dy vitesh në Durrës

Emri i personazhit të arrestuar ditën e djeshme në mes të Tiranës figuron si një ndër më të njohurit në qarkun e Durrësit prej shumë vitesh. Madje, në dokumente të servirura shumë vite më parë, Gjokë Tusha me aktivitetin e tij ishte i pozicionuar në Shijak dhe Sukth, por që në të vërtet këto lloj shkresash nuk u bënë asnjëherë objekt hetimi. Referuar të dhënave që ka depozituar drejtësia italiane në organet kompetente, mësohet se Gjokë Tusha, i cili njihet me emrin Gjergj Tusha, rezulton të ishte një ndër kapot e trafikut të drogës në vendin fqinj, ndërsa në vendin tonë ai u dyshua si personi që qëlloi mbi tre persona në Durrës mbrëmjen e 7 shkurtit të vitit 2010, duke plagosur një shtetas azerbarxhanas si dhe dy shtetas shqiptarë.

Ngjarja u tha se ndodhi në rrethana të paqarta, ndërsa policia identifikoi në spital pikërisht biznesmenin e huaj Turat Maturov, 44 vjeç, që ishte i plagosur rëndë dhe dy persona nga Durrësi që nuk dihet se si u përfshinë në ngjarje. Policia aso kohe bëri me dije se është shpallur në kërkim autori i plagosjes së trefishtë, ndërsa shkaku i ngjarjes iu faturua një femre që gjendej në momentin e përplasjes mes palëve nën shoqërinë e Tushës. Mirëpo, referuar të dhënave që shoqëruan një mori ngjarjesh të mëvonshme u mësua se në të vërtet shkaku i përplasjes mes shtetasit të huaj dhe Tushës lidhej me një shumë marramendëse parash, që disa persona i detyroheshin 44 vjeçarit Maturov. Ngjarja mbeti në harresë, bashkë me emrin e Tushës,  derisa ditën e djeshme efektiv të skuadrës operacionale, kryen arrestimin e 48 vjeçarit në zonën e ish-Bllokut. I prangosuri për llogari të italianëve bëhet me dije se është i njohur në fushën e biznesit sidomos në atë të tregtimit të karburanteve, ndërsa tashmë pritet të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e arrestit për akuzën e falsifikimit të dokumenteve bashkë me oficerin Sandër Kolmarkun, mbi të cilin bie edhe akuza e “shpërdorimit të detyrës”.

Arrestimi i Gjokë Tushës filmohet rastësisht    

Sapo Gjokë Tusha, kishte dalë para ndërtesës së “Sky Tower” rrethohet fillimisht nga një grup civilësh, të veshur me pantallona të shkurtra dhe bluza pambuku, duke e lajmëruar se ishte i rrethuar nga policia. Një tjetër grup i armatosur dhe me veshjen përkatëse të skuadrës operacionale ka dalë në mbrojtje të të parëve, duke mos lejuar asnjë prej personave që e shoqëronin Tushën të reagonin. Ndërsa policia shoqëronte për në mjetin e saj të arrestuarin dhe shoferin e tij, e gjithë ngjarja është filmuar nga një person, që gjendej në vendin e ngjarjes rastësisht, me anë të një kamere amatore.

Tabelë

Akuzat që rëndojnë mbi Gjokë Tushën

Krijim dhe pjesëtar i organizatës kriminale

Trafikimim droge

Rrëmbim personi

Shfrytëzim prostitucioni

Marrëdhënie seksuale me dhune

Falsifikim dokumentesh

Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano