FMN: Rekomandimet tona për krizën


Shefi i misionit “përplaset” me Boden për borxhin, rritjen ekonomike dhe detyrimet e firmave


Fondi Monetar Ndërkombëtar i paraqiti dje qeverisë shqiptare disa rekomandime mbi zbutjen e krizës në ekonomi, por pothuajse të gjitha propozimet u rrëzuan direkt nga ministri i Financave. Në konferencën e përbashkët për shtyp, qeveria dhe FMN konfirmuan edhe një herë mospërputhjen në disa çështje mbi ekonominë në vend, duke nisur nga niveli i borxhit publik, rritja  ekonomike, të ardhurat nga privatizimet, etj.

Ministri i Financave, Ridvan Bode pranon se kriza në zonën e vendeve të euros po ndikon negativisht në ekonominë tonë, sidomos për shkak të lidhjeve tregtare që vendi ka me Greqinë dhe Italinë, dy shtetet më të prekura. Ministri fajësoi edhe bankën private më të madhe në vend, për tërheqjen e saj nga plani për të financuar jo plotësisht borxhin e qeverisë. Sipas Bodes, këto dhe të tjera zhvillime po ndikojnë disi në situatën ekonomike në vend, por duke parë të dhënat e vendeve të rajonit, sidomos për nivelin e borxhit, “Shqipëria po performon pozitivisht”. Pikëpamjet e FMN-së janë të kundërta dhe rekomandon marrjen e disa masave.

Rritja ekonomike

Përplasja e parë dhe e zakonshmja në këto 5 vjet është parashikimi dhe vlerësimi i FMN-së për rritjen ekonomike, në raport me atë çfarë mendon qeveria shqiptare. “Kemi rishikuar rritjen ekonomike dhe vlerësojmë se për këtë vit do të jetë 3 për qind, nga 4.1 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të menduar në fillim të vitit”, tha Bode. Sipas tij, kjo rritje duket më e ulët në raport me periudhën e para krizës dhe se qeveria do të bëjë të pamundurën për ta rikthyer në ritmin e mëparshëm. Por FMN mendon krejt ndryshe nga ministri i Financave. “Ne kemi parë se që nga fillimi i krizës ekonomike në vitin 2008, ekonomia shqiptare ka ecur relativisht më mirë se vendet e tjera të rajonit. Por vazhdimi i krizës dhe destabiliteti në vendet e tjera po vazhdon të transmetojë goditje dhe rritja ekonomike po ngadalësohet. FMN vlerëson se rritja do të ngadalësohet në 0.5 për qind këtë vit dhe për vitin tjetër vlerësimi është 1.3 për qind”, deklaroi shefi i misionit Nadem Ilahi. Megjithatë, ai sqaroi se kjo rritje ekonomike është vlerësuar pa përfshirë të ardhurat nga privatizimet. Sipas kreut të Financave, rritja ekonomike rreth 3 për qind do të bazohet në një kërkesë të brendshme modeste dhe në një rritje më evidente të eksporteve të ekonomisë shqiptare.

Borxhi publik

Mbajtja e borxhit publik në nivele të larta konsiderohet e rrezikshme për Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndaj rekomandon një ulje. Qeveria ka pranuar ta mbajë borxhin afër nivelit 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (aktualisht rreth 850 miliardë lekë). Sipas Bodes, ky nivel, në dukje i lartë, nuk përbën shqetësim pasi përmban elementë jo riskues. “Duket më i lartë se vendet e rajonit, por rritja e tij, sidomos në vitet e fundit të krizës është më e butë, në krahasim me fqinjët dhe se nuk përmban rreziqe në aspektin e shlyerjes për shkak të kushteve me të cilat është marrë. Ne mendojmë se do të qëndrojë edhe për tre vite afër këtij niveli”, tha ministri i Financave. Por shefi i FMN-së rekomandoi ulje, duke pasur parasysh të ardhurat nga privatizimet. “Duke parë nivelin e lartë të borxhit publik, ne mendojmë se pjesa më e madhe e të ardhurave nga privatizimet duhet të shkojë për reduktimin e borxhit dhe detyrimet e prapambetura të qeverisë që duhet të pastrohen sa më shpejt”, tha Ilahi. Për këtë vit, ministri pranoi se deficiti buxhetor mund të pësojë një rritje të vogël, por niveli i borxhit nuk do ta kapërcejë kufirin e 60 përqindëshit.

Detyrimet e prapambetura

Tjetër çështje ku palët nuk ranë dakord ishte përdorimi i të ardhurave nga privatizimi i “Albpetrol”, por edhe i objekteve të tjera në proces. FMN rekomandon se një pjesë e parave të privatizimeve duhet të shkojnë për shlyerjen e faturave të prapambetura, si për kompanitë energjetike, ashtu edhe për privatin në sektorin e ndërtimit. “Të ardhurat nga privatizimi i pasurive kombëtare duhet të përdoren kryesisht për të ulur borxhin, por gjithashtu, edhe për të shlyer pagesat e prapambetura të faturave të qeverisë; këto të fundit do të ndihmonin aktivitetin ekonomik në afatin e shkurtër”, deklaroi shefi i misionit Ilahi, duke shtuar se problemi i borxheve në ekonomi po kërcënon vendin. Por ministri i Financave ishte kundër përdorimit të të ardhurave për shlyerjen e huave, sidomos për KESH-in dhe CEZ, kurse për firmat private të rrugëve shtoi se përgjegjësia për detyrimet u mbetet atyre, pasi kanë punuar përtej planit të financimit në buxhet. FMN insiston në këtë pjesë, duke e argumentuar me faktin se kreditë e këqija po kthehen në një problem shumë serioz.





“Albpetrol” – Ministri i Financave tha se, “në fillim të marrim një herë paratë nga shitja e ‘Albpetrol’ dhe pastaj të diskutojmë se çfarë do të bëhet me shumat”. Me një nënqeshje ironike, ministri deklaroi se “shpresojmë t’i marrim shumat e ofruara”, ndërsa për përdorimin, shtoi se “ligji i buxhetit të shtetit ka të përcaktuara mirë rrugët se ku do të përdoren”



Fushata - Tjetër diskutim me FMN lidhet me shpenzimet dhe rrezikun e abuzimit për qëllime elektorale. “Të ardhurat nga privatizimi duhet të shkojnë edhe për faturat e papaguara të firmave, pasi po rrezikojnë edhe sistemin bankar, duke parë kreditë me probleme”, tha Ilahi, por Bode tha se paratë do të shkojnë për investime dhe se nuk mund të shkelet ligji i buxhetit



Energjia - Sektori i energjisë shihet me shqetësim nga ministri i Financave, pasi KESH nuk mundet të importojë, kurse CEZ është në vështirësi. Borxhet e shumta mund të shkaktojnë ndryshime në buxhet, pasi Financat mendojnë t’i japin KESH-it 40 milionë USD për importet, kurse për CEZ-in, Bode u tregua kritik për mosrespektimin e kontratës nga kompania



Buxheti 2013 - “Në vitin 2013, buxheti duhet të synojë të ruajë të pandryshuar nivelin e borxhit ndaj PBB-së. Konsolidimi fiskal do të kërkojë rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e shpenzimeve korrente, ndërkohë që duhet të mbështeten shpenzimet kapitale dhe shpenzimet sociale të destinuara për shtresat në nevojë”, deklaroi dje shefi i Misionit të FMN-së.

“Të ardhurat nga privatizimi i pasurive kombëtare duhet të përdoren kryesisht për të ulur borxhin”

“Ekonomia, sipas FMN-së, mbetet e brishtë ndaj rreziqeve të jashtme, veçanërisht nga kriza e Eurozonës”



Pikëpamjet e kundërta

Bode

Rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet të jetë 3 për qind në raport me PBB-në dhe bazohet nga rritja e eksporteve
Borxhi do të mbetet afër kufirit 60 për qind të PBB-së dhe nuk do të ndryshojë, pasi nuk përbën rrezik
Të ardhurat nga privatizimi do të shkojnë për buxhetin, pra për investimet publike
Nuk do të përdoren paratë e privatizimeve për shlyerjen e faturave të papaguara
Ilahi

Rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet të jetë 0.5 për qind, pa përfshirë në këtë analizë të ardhurat nga privatizimi
Borxhi publik konsiderohet i lartë dhe i rrezikshëm, prandaj sugjerojmë ulje, duke pasur parasysh të ardhurat nga shitja e pronës
Me të ardhurat nga shitja e “Albpetrol” duhet me patjetër të shlyhen pagesat e prapambetura në sektorin energjetik dhe atë privat



Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano