Kush është Fjoralba, imazhi i Lajmeve në Tv Klan

Mëngjesi është po ai: zgjimi herët, për të përgatitur fëmijët (djalin, Kevin 13 vjeç dhe vajzën, Sarën 8 vjeç) për në shkollë.

Paraditja vazhdon të jetë pothuajse e njëjtë: me detyrimet si zonjë e shtëpisë, leximin e gazetave, navigimin në internet (pra informimin personal) për të qenë në dijeni të gjithçkaje që ndodh, kurdo e kudo; me kujdesin ndaj vetes, me ndonjë takim kafeje, të programuar me ndonjë mikeshë, diku aty pranë lagjes (në zonën e Tiranës së Re). Dreka e gjen si gjithmonë në shtëpi: për t’i shërbyer familjes së saj të vogël, për t’u marrë me mësimet e fëmijëve për ditën e nesërme…derisa vjen ai momenti kur para oborrit të shtëpisë shfaqet makina e Tv Klan.

Mund të jetë mesditë ose pasdite e vonë, për edicionin e lajmeve të 15.30 apo për atë të 19.30 (apo dhe për edicionin e fundit), ama destinacioni mbetet përjetësisht po ai: Tv Klan.

Për afro 15 vjet me radhë, që prej 1998-ës kur do të largohej nga Televizioni Publik Shqiptar, për t’u bërë pjesë e stafit të vogël që do të niste transmetimet e para televizive në Klan, për t’u shfaqur së pari në emisionet e mëngjesit e për t’u bërë vetëm ca vite më vonë “zonja e lajmeve”. Pushtet që e fitoi gradualisht, pa shumë bujë mediatike, pa shprehur ambicie të mëdha nëpër gazeta e revista, por ashtu thjesht, duke bërë me përpikëri e seriozitet punën e saj, atë për të cilën ishte bindur që në krye të herës se dinte të bënte më mirë. E mbi të gjitha, pa u tunduar për të eksperimentuar me veten në formate të tjera televizive (veç lajmeve) e aq më pak për të eksploruar ekrane të tjera (ndonëse në ato vitet e para ofertat do t’i kishte të shpeshta).

Një jetë kaq e programuar, e kornizuar, mund të mërziste e zhyste në monotoni shumëkënd, por kurrsesi atë, Fjoralba Mishaxhi. Sepse kështu është ajo: atë që e zgjedh e ruan fort, me fanatizëm. “Jam njeri shumë i qëndrueshëm në zgjedhjet që bëj. Me ekranin, me logon që zgjedh, duhet të krijosh një raport solid, sepse vetëm kështu mund të krijosh profilin tënd, mund të identifikohesh. Unë sot jam e bindur se, edhe nëse më harrojnë emrin, kur më shohin diku, thonë kjo është ajo e Klan-it. Një lidhje e tillë i bën mirë jo vetëm personazhit, por edhe logos. Marrëdhënia me ekranin duhet konsideruar si çdo marrëdhënie, në fakt, që pas disa vitesh konsolidohet aq sa vështirë se mund të ndahesh më”.

Zgjedhja për t’u bërë personazh televiziv, në fillim, nuk ishte e saj. “Një regjisore e vjetër në TVSH, mikeshë e familjes sonë, më ofroi ta provoja studion televizive kur isha 18 vjeç. Më pëlqyen dhe më angazhuan në departamentin e emisioneve të fëmijëve fillimisht. Çuditesha atëherë, sepse unë nuk isha aspak natyrë guximtare për të provuar gjëra të reja, nuk kisha fare dëshirë të dukesha, të bija në sy, por në këtë rast kisha një ndjesi e besim te vetja, aq sa më dukej se ajo që po ndodhte, televizioni, ishte pa më të voglin dyshim ajo ç’ka më përkiste. E nëse kjo ishte zgjedhje e të tjerëve, vendimi që mora më pas për t’u profilizuar, përmes studimeve të larta në gazetari ishte totalisht i imi. Pra, shansin që më dhanë në televizion më shumë se për t’u bërë personazh i famshëm, e shfrytëzova për të marrë drejtimin e duhur në profesion.” Sigurisht që nuk e mohon kënaqësinë që i jepte fama televizive, kur ishte ende maturante te “Petro Nini”, kur nga emisionet e fëmijëve kaloi te programet e paradites, por kjo lloj fame nuk iu kthye asnjëherë qëllim më vete, aq më tepër në atë kohë kur zapping ende nuk ishte një mundësi e shikuesve shqiptarë dhe kur programet e këtij lloji e kishin gjithë audiencën të tyren. E kur nuk iu bë atëherë, vite më pas, kur kaloi në TV Klan, kur ishte diplomuar për gazetari e kur po krijonte familjen e saj, nuk kishte më asnjë shans të ndodhte.

Do të karakterizohej nga thjeshtësia dhe i njëjti stil që do të ruante për vite me radhë edhe në Tv Klan. Veçse tashmë me një mbiemër ndryshe nga ai me të cilin kishte nisur të bëhej e njohur, nga Fjoralba Shehu, titrat do tregonin emrin e shoqëruar me mbiemrin e bashkëshortit Mishaxhi. Ky ishte i vetmi informacion që do t’i jepej publikut, që e kish ndjekur prej vitesh, kuptoi se Fjoralba ishte martuar, ndryshe nga ç’ndodh me shumë kolege të saj, për të cilat lajme të kësaj natyre shkruhen e komentohen në gazeta e revista. Ndërsa Fjoralba e kaloi fare pa bujë këtë ngjarje të jetës private, ashtu si dhe të tjerat më pas.

Në ekran mbeti gjithmonë e njëjta, si kur ishte me emisionet e paradites e më pas kur krejt rastësisht (në mungesë të dikujt) e ulën në studion e lajmeve të darkës për të kaluar përfundimisht aty. “Kisha një lloj hezitimi në fillim për të kaluar nga emisionet tek edicioni i lajmeve, mbi të gjitha dhe sepse në ato kohë isha sërish shtatzënë, me vajzën. Kjo ishte shtatzënia e dytë që po kaloja në Klan, pa u shkëputur për asnjë ditë nga puna, por nëse në emision e kisha më të thjeshtë, lajmet do të ma ndërlikonin disi ditën, me oraret e tyre të drekës e sidomos të darkës së vonë”. Por pranoi, duke e përmbysur ritmin e ditës e duke riorganizuar gjithçka në shërbim të atyre orëve të transmetimit të lajmeve. Më kot kishte pasur dyshim se s’do t’ia dilte dot. “Në fillim bëra një lloj organizimi të tillë që të merrja edicionet e mëngjesit. Pastaj ritmi u kap dhe nuk kisha asnjë lloj problemi.”

Shkëputja e vetme, si në shtatzëninë e parë edhe këtë herë, do të ishte vetëm dymujore. Kohë gjatë së cilës, gjithashtu, nuk u shfaq në asnjë shkrim nëpër revista, apo intervista në faqet rozë -po me ngjyrë të përhime- të gazetave. Më pas direkt e në studio, për të vijuar në ritmin e zakonshëm, të lajmeve. “Ky ka qenë dhe vazhdon të mbetet i vetmi angazhim i imi. Pjesa tjetër e kohës i takon vetëm familjes, fëmijëve dhe përkujdesit për veten. Ekrani duhet marrë me seriozitet të madh. Ky lloj angazhimi kërkon regjimin e vet, që të jesh gjithë kohës në formën e duhur për ta transmetuar lajmin te të tjerët ashtu si duhet, pa ngarkesa emocionale, pa shenja nervozizmi e lodhjeje”.

Regjimi duket se ka qenë gjithë herët pika e fortë e saj dhe jo se është nga ato femrat e përkëdhelura, por sepse e ka kuptuar se puna që bën nuk ia lejon lajthitjet në orët e vona të natës (ç’ka nuk e ka bërë as vite më parë), nuk ia lejon pagjumësinë, çorganizimin e trurit, lodhjen. “Unë nuk kam konsumuar kurrë duhan edhe alkoolin gjithmonë e kam konsumuar në mënyrë tejet të moderuar. E sigurisht që jam ndjerë e detyruar të tregoj gjithnjë kujdes për linjat dhe për look-un në përgjithësi”. Nuk është tipi i dietave (ndoshta sepse ka pasur gjithë jetën, me përjashtim të muajve të shtatzënisë, një peshë stabël, 54 kg), por ama tregon gjithnjë kujdes në atë çfarë zgjedh të hajë dhe ka gjetur formulën e saj të suksesshme, të hajë shpesh e nga pak. “Në palestër nuk kam shkuar kurrë, por kam në shtëpi disa vegla që i frekuentoj thjesht për të mbajtur trupin të tonifikuar”. Dhe rezultati është gati mahnitës, sepse duke qenë se ajo nuk ndryshon kurrë, duket se as koha nuk kalon pranë saj.

Por më shumë se trupi, pika e dobët mbeten sigurisht flokët dhe fytyra. “Ekrani vërtet nga njëra anë është meritë e asaj çfarë unë arrij të transmetoj te të tjerët, por edhe e një pune të kujdesshme të stafit që merret me imazhin. Për 15 vjet me radhë, jam ndjerë gjithnjë e qetë për anën vizuale prej grimiorit Dashamir Turku, që edhe sot e kësaj dite punon me të njëjtën disiplinë e përpikëri. Është po ashtu dhe parukjerja Ujvara Haxhia që punon me po aq dashuri jo vetëm me imazhin tim por të gjithë figurave që dalin në ekranin e TV Klan-it”. Ndryshe nga ç’u ndodh me të tjerët, që kanë tendencën të ndryshojnë shpesh look, me Fjoralbën në dhomën e grimit ata duhet të jenë ndjerë gjithnjë komodë. Ajo ka ruajtur, e vazhdon të ruajë për vite me radhë, një lloj portreti. S’ka eksperimentuar as në këtë drejtim. “Ndoshta kështu do të kisha vepruar edhe nëse s’do të isha figurë televizive, sepse unë kjo natyrë jam, që nuk i pëlqej ndryshimet e mëdha. Por angazhimi në televizion më ka bërë të jem edhe më strikte në këtë drejtim, sepse portreti në ekran është një lloj pasaporte dhe të mbetesh gjithnjë në një stil them se është mirë.” Dhe për mirë i ka rezultuar me të vërtet. Me modestinë që e karakterizon, ndihet (si gjithëherë kur i bëjnë një kompliment) si në siklet, se shumëkush e pëlqen pikërisht pse ka qëndruar brenda të njëjtave korniza, brenda të njëjtit ekran. Pse ka qëndruar e tërhequr nga zhurmat mediatike, e pse ka qenë e kursyer në rrëfimet për jetën e saj private, ç’ka refuzoi me shumë delikatesë ta bënte edhe këtë herë. “Unë sot, madje, fola më shumë se çdo herë tjetër”. Është e vërtetë.

Nëse brenda studios së Klanit, në orët e transmetimeve live të lajmeve ditore, në transmetimet maratonë në kohë fushatash elektorale, apo dhe në bisedat speciale me të ftuarit (politikanë ose jo), Fjoralba Mishaxhiut nuk i ngatërrohet kurrë fjala në gojë; jashtë atij ekrani, ajo është vajza e heshtur, që s’preferon të flasë. As për veten e aq më pak për të tjerët. Ndaj, pasi thotë “mirupafshin” nga studio e Klan-it, “zonja e lajmeve” nuk vonon t’i hipë makinës që e pret në oborrin e televizionit, për t’u kthyer në shtëpinë e saj, e për të vijuar punët e “zonjës së shtëpisë”, deri në agimin e ditës tjetër, kur mëngjesi do të jetë po ai, me të njëjtin program. /Gazeta Mapo/

Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano