Tirana, 8 divorce çdo ditë për 7 muaj rresht!


Një analizë për divorcet në Shqipëri dhe shkaqet që i çojnë çiftet në dyert e gjykatës. Në shtatë muaj në kryeqytet ka pasur 1300 kërkesa për zgjidhje martese.


Entela Resuli
“Përjetë bashkë në të mirë e të keq”. Të gjithë e pohojnë para zyrës së gjendjes civile ose në institucione fetare, por... vjen një ditë që nuk është kaq e lehtë sa thuhet. Në 7 muajt e fundit, vetëm në Gjykatën e Tiranës ka pasur 1300 çifte të ndarë, që i bie që gjykata për çdo ditë pune ka ndarë 7 deri në 8 çifte kryeqytetase.
Dhe paditë civile me objekt “zgjidhje martese” që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues bëhen gjithmonë më të shumta. Ata që ngrenë padinë në më të shumtën e rasteve janë meshkuj, por vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe numri i femrave. Po t’i hedhësh një sy “letrave”, të gjitha fillojnë me: “Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok, pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjen dhe mosmarrëveshjet...”.  Nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet.
Martesa duket se po bëhet përherë e më shumë një marrëdhënie delikate. Në kohën moderne të gjithë sociologët e martesës flasin për ndërtimin e marrëdhënieve të ekuilibruara midis çiftit, i cili për të mirëmbajtur martesën apo për ta miratuar atë duhet të ndërrojë relacione xhonglerësh për të shmangur kërcitjet, konfliktet dhe thyerjen e saj përmes divorcit.

Tregon emancipim apo shkatërrim?
Sociologë shqiptarë të pyetur nga “Shekulli” lidhur me këto shifra janë thuajse në një mendje: Loja me divorcet është bërë shumë e rrezikshme, tejet shqetësuese me pasoja të rënda sociale, ekonomike, edukative dhe me ndikim dezintegrues dhe dobësues në kohezionin social të vendit. Por kjo rritje tregon emancipim apo përkundrazi, shkatërrim?
“Unë besoj se do të ishte naivitet nëse këto shifra alarmante dhe të papërgjegjshme të divorcit do t’i konsideronim si tregues të emancipimit të martesës në Shqipëri apo ndryshimeve progresive që ka pësuar tipologjia e martesës. Dimensionet e divorcit që vitet e fundit në Shqipëri janë më shumë se 6 mijë në vit e kanë bërë atë “kazmë” që po shkatërron martesën dhe në një farë mënyre edhe strukturën relativisht të qëndrueshme të familjes shqiptare, e cila pa asnjë mëdyshje duhet konsideruar në vetvete si një tregues pozitiv 'sui generis' i shoqërisë shqiptare, - thotë sociologu i njohur Gëzim Tushi.

Përse po divorcohemi kaq shumë?
Analiza e shkaqeve të divorceve janë të shumta. Ato fillojnë nga ato morale dhe shpirtërore e deri tek problemet ekonomike e sociale. Nuk ka shkaqe deterministe që ndikojnë tek divorci, por megjithatë me sa duket problemet e komunikimit bashkëshortor, dyshimet për çështjet e besnikërisë bashkëshortore dhe perceptimi nganjëherë primitiv i determinantëve fizikë dhe seksualë të martesës, problemet e keq administrimit të vetes dhe bashkëshortit, ndikimet helmuese të familjeve të origjinës, etj janë shkaqet që ndeshen më shpesh në sallat e gjyqit dhe që bëhen determinantë të pashmangshëm për divorcin.

 INTERVISTA

 “Martesën mos e pandehni as parajsë seksuale as shpëtim nga vetmia”

 Z.Tushi, nëse ngremë pyetjen se “përse martohet një shqiptar i kohëve të sotme”, cila do të ishte përgjigja juaj?

Martesa është një lidhje me shumë qëllime dhe funksione. Ai prandaj është institucion me rëndësi i jetës private, por dhe institucion themelor i organizimit të jetës sociale. Martesa nuk është institucion vetëm i seksualitetit, sepse me sa duket kjo është gjëja që po i ngatërron më shumë të rinjtë e sotëm, të cilët nisen në martesë me idenë se atje do të gjejnë vetëm një parajsë seksuale dhe që pastaj pësojnë zhgënjime nga që pritmëritë e tyre nuk përputhen me realitetin. Pa dyshim njerëzit nuk martohen as thjesht për të mos mbetur vetëm, sepse martesa nuk është ilaçi që shëron vetminë. Njerëzit martohen për një tërësi shkaqesh dhe qëllimesh që kanë të bëjnë me vazhdimësinë, trashëgiminë, kënaqësinë e lidhjes intime, nevojën e krijimit të aleancës mbështetëse dhe krijimit të familjes, që është vendi më i shenjtë i tokës.
Askush nga ata që i ka bërë “bisht” martesës është e pamundur që të mos jetë penduar kur ka ardhur koha e bilancit përfundimtar të jetës. Liberalizimi i seksualitetit dhe mundësitë e sigurimit të relacionit seksual jashtë apo pavarësisht nga martesa është një iluzion që e kanë të rinjtë, të cilët kur kalojnë moshën e kuptojnë gabimin e pakthyeshëm që kanë bërë.
Martesa ka dialektikën e vet të socialitetit dhe seksualitetit, sepse ai është institucioni i bashkëjetesës, mbështetjes reciproke, solidaritetit dhe humanizmit midis atyre që lidhin martesën dhe që e çojnë atë deri në fund. Sa më e vjetër bëhet martesa, aq më shumë lumturi ndjen njeriu kur bën bilancin e produkteve të saj. Me sa duket martesa paska nevojë për “periudha kalimi” dhe testim e verifikim të anëve që duhen dhe që garantojnë martesën.

Mendoni se mund të ketë një zgjidhje tjetër veç martesës?
Martesa është martesë pavarësisht alternativave që moderniteti ka sjellë. Bashkëjetesa apo forma të tjera alternative të martesës janë të mundura të ekzistojnë dhe ato për fat të mirë kanë marrë qytetari edhe në shoqërinë tonë. Por edhe këto alternativa kanë probleme të shumta biologjike, sociale, financiare dhe juridike kur nuk ndërtohen mirë humanisht dhe nuk garantohen në aspekte juridike të përgjegjësisë së lidhjes së bashkëjetesës. Por që të mendosh se martesa si tipologji mund të shmanget nga moderniteti apo mungesa e nevojës për lidhje të gjatë kjo është e gabuar, pa të sotme dhe të ardhme. Megjithatë pavarësisht se martesa është institucion historik i lidhjes private të njerëzve, ai mbetet njëherësh institucioni social më bazal që ndan botën humane nga ajo animaleske. Në këtë botë vetëm njeriu e ka këtë status dhe privilegj të martesës. Nuk është gabim kur themi se kafshët as nuk martohen as nuk celebrohen. Shoqëria pa martesë dhe njerëzit jashtë saj, që nuk kanë shkaqe dhe arsye njerëzore janë njerëz me anomali sociale, kostot e të cilës një ditë në mënyrë të pashmangshme do t’i “paguajnë” vetë.

A ka një zgjidhje për të shpëtuar martesën në moment krize?
Ka mundësi që edhe sëmundjet e martesës të shërohen kur njerëzit bëhen të arsyeshëm dhe tolerantë, kur bëhen të emancipuar dhe dinë të dallojnë në një konflikt apo mosmarrëveshje raportin e kostos së prishjes së martesës dhe përfitimit që vjen nga korrigjimi i saj. Qoftë edhe duke bërë “lëshimet” që duhen bërë. Divorci tek ne është shumë i ashpër nga që ato realizohen në një terren ballkanik dhe akoma janë nën peshën e ideologjisë maskilste dhe mendjelehtësisë  së prishjes së “dasmës për një limon”.
Ndërkaq duket se fenomeni i divorcit dhe paqëndrueshmëria e martesës është bërë patologji specifike që ka kapur sidomos të rinjtë e sotëm. Unë besoj se me të rinjtë duhet punuar në familje, në shkollë dhe nga institucionet fetare jo vetëm për të mësuar parimet dhe rregullat e jetës seksuale, por së pari dhe mbi të gjitha ata kanë nevojë të edukohen me parimet fondamentale të “kulturës së martesës” për ta vlerësuar këtë lidhje si lidhjen më të gjatë, më intime, më të qëndrueshme dhe të paoksiduar nga “helmet e modernitetit” dhe acidet e divorcit.


Janë njerëz të pushtetshëm, por edhe ata e kanë provuar krizën në martesë. Zgjidhja ka qenë kërkesa për divorc e më pas, historia mbyllet me... Ata jetojnë të lumtur me dikë tjetër!

Politikanët dhe krizat e tyre të ndarjes

I njohur për batutat e shpejta, ish-kryeministri Fatos Nano, vendosi të ndante "mendime" konstruktive për çështjen e femrës me kreun e OKB-së, Kofi Anan. "Kam bërë një herë burg politik, por jam martuar dy herë, kam qenë dhëndër në komunizëm dhe në demokraci",-thumboi Nano, duke hedhur sytë nga burri me ngjyrë. Për çudinë e Nanos, ai nuk pati asnjë reagim habitës. Sepse kishte të bënte me njeriun që ishte divorcuar dhe martuar pesë herë.
Dhe duket se edhe dashuritë dhe ndjenjat e politikanëve shqiptarë janë ndarë në dy botë dhe sisteme të ndryshme. Nëse shumicës së politikanëve të sotëm do i kujtohet e shkuara, ajo ka pak a shumë një formulë për të gjithë: Kur ishin studentë, shumë prej tyre konviktorë, bashkë me valixhen e drunjtë të mbushur me pak rroba, kishin "futur" shpresa të mëdha për një punë e jetë të mirë në të ardhmen. Sa për dashurinë, ishin të ndrojtur, inferiorë dhe kishte mjaft raste kur mblesët vinin njëri pas tjetrit, sepse tashmë ishin kontingjenti i "djemve me shkollë".
Kohët ndryshuan, ata djem e vajza të ndrojtur, me pantallona doku apo fustane basme, iu futën politikës. Në mes hyri paraja, influenca, njohjet e reja dhe ajo që i lumturonte më shumë fjala “shef". Në fushata elektorale, apo në dikasteret që drejtonin shfaqeshin gjithnjë e më shumë vajza simpatike, të sjellshme dhe lajkatare. Një "jetë e re" që disa prej tyre i çoi në divorce, ku në shumicën e rasteve sekretaret ishin "pika e dobët".


Fatos Nano

Fatos Nano është një nga politikanët më të përfolur për divorcin e tij me gruan e parë Rexhinën dhe martesën me Xhoana Nanon. Pas 30 vjetësh martesë në vitin 2001, ai i drejtohet dyerve të gjykatës për ta zgjidhur këtë kurorë nga e cila kishte një djalë dhe një vajzë të rritur. Në atë kohë ai lëshoi edhe një deklaratë që u mbajt mend gjatë se; "unë nuk mbaj edhe grua, edhe dashnore". Xhoana që mbante të njëjtën mbiemër si bashkëshorti i saj do të shkonte shumë shpejt drejt altarit.

Ylli Pango

Edhe Ylli Pangos i kanë shndritur jo pak yje në fushën e dashurisë, por njëra nga tentativat i rezultoi "fatale". I divorcuar para 12 vjetësh nga martesa e tij, duket se ky politikan ka bërë një "jetë të shëndetshme" prej beqari. Është përfolur shumë lidhja e tij më një studente të "Fakultetin e Shkencave Sociale" që më pas u bë edhe pedagoge, por kjo lidhje nuk e celebrua asnjëherë.

Astrit Patozi

Astrit Patozi u mërzit shumë kur në media u shkrua se ai kishte një lidhje me zëdhënësen e PD. Ai e përgënjeshtroi me zhurmë dhe u shpreh që do e hidhte gazetën që kishte botuar atë lajm në gjyq. Por pas kësaj deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së PD, si për çudi ia shohim emrin në një dosje divorci në gjykatën e Tiranës me kërkesë të bashkëshortes Enkelejda.

 Genc Pollo

U tha se Genc Pollo i dha fund martesës së tij për shkak të një lidhje jashtë martesore e cila bëri t'i marrë "koka erë" siç thonë andej nga Përmeti. Sot ai renditet në listën e politikanëve të divorcuar. Historia e dashurisë me një vajzë të re nuk mund të vazhdonte më në fshehtësi. Dhe Genci kështu bëri, një e zgjidhi e një e lidhi. Nga martesa e ministrit me ish-gruan e tij Dajana rezulton se ata kanë dy vajza, të cilat tashmë jetojnë më të ëmën.

Petrit Vasili

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili është një nga emrat më të lakuar në faqet rozë të mediave për lidhjet e tij të dashurisë. Pas divorcit nga gruaja e parë me të cilën ka një djalë të rritur, duket se Vasili po përjeton një tjetër histori dashurie. Menjëherë pas ndarjes nga gruaja shumë vite më parë, Vasili duket se ka qenë në kërkim. Tashmë ka gjasa të ketë rënë në krahët e dashurisë. Edhe pse për opinionin publik kjo histori është krejt e panjohur, prej 18 vjetësh Vasili jeton një marrëdhënie dashurie të pakurorëzuar ende, por që vetë ministri e pranon dhe ka dalë në publik.


Edi Paloka

Edi Paloka një histori dashurie që përfundoi nga martesa në divorc. Një histori po aq e hershme sa edhe aderimi i tij në Partinë Demokratike. Kurorëzimi i parë ka qenë me një shoqe shkolle dhe nga kjo martesë ka edhe një vajzë, që aktualisht është 19 vjeç. Ndërkaq, një vit më parë Edi Paloka që i ka kaluar tashmë të 42-at, ka realizuar martesën e dytë me një vajzë të quajtur Desara. Ajo ka mbaruar studimet në 2007, aktualisht 28 vjeç, ndërsa së bashku kanë lindur fëmijën e dytë.

Edi Rama

Martesa e tij me Linda Bashën është një nga ngjarjet më kryesore të vitit 2010. Por kjo nuk ishte e para për kreun e Partisë Socialiste dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Martesa e parë ka qenë me aktoren e bukur dhe mjaft të famshme deri në vitet '90 Matilda Makoçi. Një martesë që pati si fryt edhe një djalë, Gregorin. Martesa e tyre është zgjidhur zyrtarisht në Gjykatën e Tiranës, në vitin 1991. Më tej, qindra variante për motivet e ndarjes së tyre, që tashmë gjithsecili beson atë pjesë, apo version që dëshiron... Sot Edi Rama është bashkëshort i Lindës.


Eduart Shalsi

Për Eduart Shalsin janë publikuar disa foto të nxehta në një nga plazhet e jugut disa kohë më parë. Deputeti i Partisë Socialiste ishte fotografuar së bashku më të dashurën e tij. Pas disa vitesh martesë, Edi Shalsi vendos të divorcohet nga bashkëshortja, Alisaveta. Ishte ai, që kërkoi ndarjen nga e shoqja. Në fakt, ne nuk kemi mundur të zbardhim arsyet e divorcit, por dimë që gjyqtarja Brunilda Kasmi e ka firmosur atë më datë 22 dhjetor 2006.

 1300

Kërkesa për divorce kanë ardhur në shtatë muaj në Gjykatën e Tiranës. Sipas të dhënave vitin e kaluar numri i ndarjeve në të njëjtën periudhë ishte 700 vetëm për kryeqytetin


6000
divorce ka patur në të gjithë gjykatat e vendit vitin e kaluar duke shënuar një rekord absolut të këtij fenomeni, që më parë konsiderohej thuajse tabu në shoqërinë shqiptare

 OPINION

 A është familja në krizë?


Kriza e familjes shqiptare duhet kuptuar e lidhur me shkaqet e thella të ndryshimeve ekonomike, politike dhe transformimeve sociale që ka pësuar shoqëria jonë dy dekadat e fundit. Në të vërtetë në pamje të parë të duket sikur familja nuk ka pësuar shumë ndryshime, apo mund të vlerësohet i qëndrueshëm nga që është “institucion konservator”. Por ky është një iluzion social që e kanë ata që pas pyllit nuk dallojnë drurët. Familja shqiptare ka pësuar evolucion kaq të thellë sa që më saktë mund të themi se ndryshimet kanë qenë tejet revolucionare (përmbysëse) në tipologjinë, strukturën, marrëdhëniet dhe funksionet e saj. Kalimi nga familja patriarkale (e madhe me shumë kurora), në familjen tradicionale dhe tani në familjen moderne me pak struktura lidhëse dhe anëtarë që bashkëjetojnë e ka bërë atë familje nukleare.
Modeli i familjes bërthamore burri, gruaja dhe fëmijët e tyre gradualisht po bëhet tipologji sunduese e familjes shqiptare. Ndërkaq ky transformim ka sjellë emancipim të strukturës, fleksibilitet të marrëdhënieve dhe progres të lidhjeve sociale të antarëve të saj, por në të njëjtën kohë familja shqiptare është bërë qelizë delikate e mbushur me probleme dhe kontradikta sociale që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me të moshuarit e familjes (të cilët kanë filluar të braktisen gjithnjë e më shpesh), me ftohjen e lidhjeve biologjike me fisin dhe marrëdhëniet e zbehura komunitare.
Familja po bëhet një qelizë e mbyllur e jetës sociale të ngushtë. Por kjo prirje ka nevojë të korrigjohet. Aq sa është e mundur natyrisht duke shfrytëzuar në këtë rast traditën e mirë të familjes shqiptare, por pa e tepruar apo besuar se mund ta kthejmë pas këtë institucion të jetës sociale.

Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano