Jonida Vokshi: E cmendur dhe e dehur… per pak


Vajza simpatike e platformës “Digitalb”, imazh i së cilës është prej shumë vitesh, flet për projektet artistike. Rikthimi në skenë si aktore në komedinë “Të çmendur pas parave”, në rolin e Xhini Perkinsit, planet e afërta për një shfaqje ndryshe, këtë herë në pozicionin e regjisores, dhe jeta private. Jonida Vokshi mohon zërat për ndarjen nga nipi i Ardit Gjebresë.
E ndërgjegjshme se është e hijshme, sensuale dhe se ka një armë të fortë si buzëqeshja, ajo di gjithashtu se këto cilësi janë fare pak për t’u realizuar në jetë. Tipari i bukurisë ka shërbyer si garanci për një vend pune në televizion, por tjetërkund është interesi fillestar. Për Jonida Vokshin, aktrimi, skena, duartrokitjet e publikut janë pasuria më e madhe dhe e pashlyeshme, shijen e të cilave ajo e përjetoi disa ditë më parë në skenën e Teatrit të Metropolit, ku interpretoi si aktore. U ndje mirë në rolin e Xhini Perkinsit, edhe pse nuk qe e lehtë të luante një personazh, që ndryshe nga gjithë të tjerët i shtyn paratë. Ndërsa të tjerët luftojnë për një valixhe me 735 mijë paund, ajo kërkon të largohet prej tyre dhe këtë e bën përmes pijes… Një eksperiencë aktoriale e vyer për Jonidën, e cila ka menduar që gjithë potencialet e saj artistike t’i fokusojë përtej televizionit, pa përjashtuar mundësinë e shfaqjes këtë herë si regjisore, degë për të cilën edhe është diplomuar në Akademinë e Arteve. Për momentin, stina e nxehtë e verës diç ia ka “çorientuar” mendjen, mes pushimeve në det dhe nevojës për t’u relaksuar, teksa projektet artistike profesionale ia lënë vendin muajit shtator për të rifilluar. Por, pushimet e bukura nuk kalohen vetëm, ato kërkojnë shoqëri të mirë dhe njerëz të zemrës pranë…
Një periudhë e ngjeshur artistikisht për ju. Para disa ditësh ishit Xhini Perkins, në shfaqjen “Të çmendur pas parave” që u ngjit në skenën e Teatrit të Metropolit…
Jonida Vokshi gjatë shfaqjes “Të çmendur pas parave”, ku ajo interpretonte në rolin e Xhini Perkinsit
Shfaqja “Të çmendur pas parave” ishte një eksperiencë shumë e bukur. Përveçse një komedi mjaft e bukur, e cila ka argëtuar shumë spektatorin, na ka argëtuar mjaft edhe ne gjatë punës dhe shfaqjeve që kemi dhënë. Ka qenë një dëshirë e përbashkët e imja dhe e regjisores Elma Dorezi për të punuar bashkë, meqenëse dhe kemi studiuar bashkë, dhe ja ku erdhi “Të çmendur pas parave”. Unë luaja bashkëshorten e Henri Perkins, i cili gjen një valixhe me 735 mijë paund. Me shfaqjen e kësaj valixheje, asnjë nga personazhet nuk është si më parë. Të gjithë fillojnë të bëjnë plane për t’u zhdukur në Barcelonë së bashku me paratë dhe, në ndryshim nga personazhet e tjerë, Xhini është e vetmja që nuk i do ato dhe nuk do të ikë në Barcelonë. Pëson një traumë nervore dhe fillon të pijë xhin e konjak derisa dehet dhe vendos të qëndrojë. Pra, e vetmja e çmendur, por jo pas parave është ajo.
Si është marrëdhënia juaj me paranë, i ruani, i prishni..?
Një marrëdhënie normale. Mundohem t’i gjej vendin e duhur, sigurisht pa i kursyer gjë vetes. Por, edhe pa hesap nuk harxhoj.
Nga njëra anë stresi, nga ana tjetër, pija, ishte e vështirë të luanit një personazh me këto probleme?
Xhini nuk ishte një rol i lehtë që mund të përshtateshe e ta përvetësoje lehtë. Valixhja me 735 mijë paund, që ka marrë i shoqi, problemet që mund të sjellë ajo, prishin ekuilibrin shpirtëror dhe mendor të Xhinit, ndaj dhe ajo fillon të pijë deri sa dehet mjaftueshëm. Të gjithëve na ndodh të dehemi, por problemi është që nuk dimë si bëhemi kur dehemi, qesharakë, nervozë, të bezdisshëm. Kjo ishte e vështirë. Përpos elementit të dehjes, kësaj i shtohej dhe trauma nervore, dhe më është dashur të provoj në vazhdimësi shumë gjëra për t’u përshtatur aq sa mundesha me personazhin.
Ditën e premierës së shfaqjes, ju patët një incident, apo jo?
Pata një të tillë në skenë… U rrëzova së bashku me aktorin Klodian Hoxha, i cili u pengua te teli i telefonit e më rrëzoi dhe mua. Përveç sikletit dhe dhimbjes (u vrava ca në fakt), skena shkoi sikur nuk kishte ndodhur gjë dhe pjesa vazhdoi për mrekulli. Ishte për syrin e keq (qesh). Ndërsa, përpara shfaqjeve emocionet e mia kanë qenë të papërshkrueshme. Më dukej sikur rrahjet e mia të zemrës do t’i dëgjonte i gjithë publiku, do harroja tekstin, do ngatërrohesha…, e gjëra të tilla. Por këto ndodhnin pas kuintave, teksa përgatitesha për të dalë në skenë. Më pas gjithçka zhdukej si me magji.
Jeni diplomuar për Regjisurë, por përvojat artistike i keni pasur në aktrim. Jeni më shumë e dhënë pas aktrimit apo nuk keni pasur mundësi të shfaqeni si regjisore?
Fokusi im parësor në fakt është Regjisura, dega për të cilën jam diplomuar. Aktrimi dhe televizioni janë pasione të mëdha. Skena më mungon shumë, flas për atë të teatrit, e cila është magji edhe kur je në rolin e aktores dhe të regjisores. Nuk mendoj se ka ndjesi më të bukur të kesh një kontakt aq të afërt me spektatorin e në fund të duartrokitesh prej tij. Ato duartrokitje janë pasuri shumë e madhe.
E nga roli i një gruaje gjysmë të çmendur e të alkoolizuar, ju shohim buzë detit në një spot të ri…
Duke marrë parasysh faktin që xhirimet u bën në bregdet dhe ishte hera e parë që bëheshin në një vend të tillë, kjo pa diskutim kishte kënaqësitë, por dhe vështirësitë e veta. Dielli dhe temperaturat e larta bënin të tyren me grimin dhe flokët. Megjithatë bukuria e bregdetit tonë dhe detit Jon të jepte një ndjesi freskie në gjithë atë vapë, e cila përmbyllet më pas me një zhytje në det pas mbarimit të xhirimeve (qesh).
Jonida, si qëndrojnë aktrimi dhe televizioni tek ju?
Komode ndihem te të dyja, pasi edhe në televizion u bëra mjaft kohë që punoj dhe ndihem mjaft rehat, e sigurt tashmë. Por, më për zemër kam teatrin. Dhe nuk është vetëm çështje përzemërsie, por e kam pasur që fëmijë këtë dëshirë e vendosmëri dhe i dedikova katër vite studimi, kështu që zgjedhja është bërë.
E konsideroni televizionin medium që konsumon edhe fytyrat më të dashura, e të bukura për publikun?
Kjo është më se e vërtetë, kështu funksionon. Por, është një rrisk që duhet marrë parasysh nëse ke vendosur të qëndrosh gjatë në televizion, vetëm prej një fytyre të bukur. Unë s’e mendoj kështu, nuk dua të lë thjesht imazhin e një vajze me fytyrë të bukur. Pa diskutim prezantimi i parë me publikun është imazhi, por më pas më kanë ndihmuar shumë studimet në Akademinë e Arteve për të ecur më tej. Regjisura është e lidhur ngushtë me mënyrën e të folurit qartë apo komportimit, gjëra mjaft të rëndësishme sot edhe për t’u dëgjuar në televizion, jo vetëm për t’u parë.
Për një vajzë simpatike si ju, vështirë se mund ta anashkalojmë fokusin mediatik mbi jetën sentimentale. Së fundmi, është përfolur ndarja juaj pas një lidhjeje disavjeçare nga Iv Tase, nipi i Ardit Gjebresë… E vërtetë?
Nuk do doja të flisja më për jetën time private, pasi në momentin që e bëra, filluan aludimet nga më të ndryshmet. Por, njëkohësisht më duhet të hedh poshtë ato çka përfliten.
Jemi në kohë pushimesh, ndaj besoj se projektet tuaja artistike rifillojnë në shtator?
Për momentin do të shijoj detin, pushimet, ndërsa projektet më të rëndësishme artistike i takojnë shtatorit. Do rijapim shfaqjen “Të çmendur pas parave”, do rifillojë emisioni “Arti” në kanalin “T” në Digitalb në një format të ri, dhe ku i dihet… ndonjë projekt i ri teatror, ku mund të jem në rolin e regjisores këtë herë.

Post popolari in questo blog

Adim Farah Puntata 15 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 8 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano

Adim Farah Puntata 10 con sottotitoli sub Ita - Serie Turca in Italiano